Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912, një nga qëllimet e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali ishte formimi i një banke kombëtare.
Në 4 tetor të vitit 1913, Qeveria e Ismail Qemalit nënshkroi me përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, Wienner Bank Verein dhe Banca Commerciale Italiana, koncesionin e parë për krijimin e Bankës Kombëtore të Shqypëniës. Për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftës I Botërore, Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk mundi të zhvillojë aktivitet.
Pas Luftës I Botërore, u bënë diskutime për ngritjen sërish të një banke kombëtare, çka u bë realitet me marrëveshjen e përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Banka Kombëtare e Shqipnis u themelua më 2 shtator 1925 dhe qendra administrative e saj do të ishte qyteti i Durrësit, sot godina e Bankës Kombëtare Tregtare.




































