Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 27 qershorin si "Dita e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme" për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e jashtëzakonshëm të NMVM-ve në arritjen e objektivave të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm.
NMVM-të në mbarë botën përbëjnë 90% të bizneseve, 60%-70% të punësimit dhe 50% të GDP-së. Si shtylla kurrizore e shoqërive ato kontribuojnë në ekonomitë lokale dhe kombëtare. Ato kanë potencialin për të transformuar ekonomitë dhe për të nxitur krijimin e vendeve të punës.
Për t’u përafruar me rekomandimet e Komisionit të BE-së, me Ligjin Nr. 43/2022 “PËR ZHVILLIMIN E NDËRMARRJEVE MIKRO, TË VOGLA DHE TË MESME”, është krijuar fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve, i cili financohet nga buxheti i shtetit. Format e mbështetjes shtetërore që jepen për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme përfshijnë kryesisht: mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, mbështetje financiare nga partnerët për zhvillim vendas ose të huaj, garanci shtetërore të huas dhe shërbime publike.
Fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve administrohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).