Në cilat raste një individ është i detyruar të dorëzojë DIVA?

    Një individ, shtetas shqiptar ose i huaj, është i detyruar të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore personale kur të ardhurat e tij vjetore bruto janë:


a) Më shumë se 1.200.000 lekë në vit nga të gjitha burimet.

Burimet përfshijnë, por nuk kufizohen në: paga dhe shpërblime nga marrëdhëniet e punësimit; dividendë; qira; shitje të pasurisë së paluajtshme; interesa bankare; fitime nga lojërat e fatit; të drejta intelektuale si licenca dhe të drejta ekskluzive; si dhe të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.


b) Kur individi është në marrëdhënie punësimi me më shumë se një punëdhënës, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që merr.

Kjo përfshin edhe rastet kur ka ndryshuar punë brenda të njëjtit muaj, edhe nëse nuk ka qenë i punësuar te dy punëdhënësit njëkohësisht.


c) Ka më shumë se 50.000 lekë të ardhura nga burime të tjera që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim.

Shembuj përfshijnë të ardhurat dhe pagesat nga platformat e internetit si Google, TikTok, Instagram, Facebook, YouTube, Airbnb, Booking etj., si dhe nga platformat e tregtisë si Amazon, Alibaba etj.