Një individ, nëse qëndron në një vend gjatë vitit tatimor për një periudhë ose periudha që në total arrijnë në 183 ditë ose më shumë, quhet rezident tatimor i atij vendi, dhe si rezident tatimor detyrimet e tij si individ janë të paguajë tatim në vendin ku është rezident tatimor për të gjitha të ardhurat, nga çdo vend që i ka.
Pra, nëse fiton të ardhura nga biznese në Shqipëri me tatim 0%, por në vendin e tij tatimi është 25%, dhe individi qëndron 183 ditë ose më shumë në vendin e tij duke u quajtur kështu rezident tatimor në vendin e tij, ai duhet të bëjë një deklaratë tatimore individuale në vendin e tij (deklarata për rezidentët tatimor në Shqipëri quhet DIVA), në të cilën do të deklarojë gjithë të ardhurat kudo që i ka fituar dhe do të paguajë tatimin për diferencën mes tatimit në vendin ku janë fituar të ardhurat dhe tatimit në vendin e rezidencës tatimore.
Nëse në vendin ku nuk është rezident tatimor ka paguar tatim më shumë se çfarë do të paguante në vendin e tij të rezidencës tatimore, tatimi i paguar më tepër përgjithësisht nuk do të bëhet zbritje në vendin e rezidencës tatimore.
Për të rregulluar këtë marrëdhënie midis shteteve dhe për të njohur tatimin që është paguar nga një individ në një tjetër shtet në të cilin nuk është rezident tatimor, shtetet bëjnë marrëveshje të cilat njihen si marrëveshje ndërkombëtare “Për shmangien e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e Evazionit Fiskal”.